Ky eshte lajm 2 jave i vjeter por thash ta publikoja perderisa ne keto ore po qarkullojne lajme se Godo kerkon nje minister per partine e tij. Me pak fjale, per te vetmin deputet qe arriti te kapi nje mandat, dmth per Mediun. Ja kush eshte Mediu, lexojeni sepse eshte fantastik fare...
Ka thyer çdo rekord. Rekordi i tij është thjesht i pabesueshëm. Brenda një periudhe pak më tepër se dyvjeçare, Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, ka udhëtuar plot 135 herë jashtë shtetit me një mesatare matematike prej 4.2 udhëtimesh në muaj, që do të thotë pak më shumë se një udhëtim jashtë shtetit në javë. Duke marrë si mesatare tri ditë zgjatje qëndrimi dhe udhëtimi, për një nga këto udhëtime (ka pasur dhe të tjerë që kanë zgjatur dhe shumë më shumë), del se zoti Mediu ka qëndruar jashtë shtetit në kohën që ka mbajtur detyrën e ministrit e pak muaj mbasi ka dhënë dorëheqjen plot 405 ditë krahasuar me vetëm 555 ditë që ka qëndruar në Shqipëri. Një llogari e thjeshtë mund të nxjerrë edhe shpenzimet e përafërta të kryera nga buxheti i shtetit për të përballuar turizmin politik të ish-ministrit të Mbrojtjes. Por asnjë llogari e tillë nuk do të ishte e saktë, sepse shumës së biletave do të duhej t´i shtohej edhe pagesa për plot tetë fluturime me avion charter. Do të duhej t´i shtohej padyshim edhe pagesa e përballuar gjithashtu nga buxheti për deputetët shoqërues apo dhe punonjësit e tij që zoti Mediu merrte me vete në udhëtime, bashkuar me pagesën e dietave, hoteleve e lloj-lloj shpenzimeve të tjera.